Lajme

Trump paralajmëron vendim për luftën në Ukrainë brenda dy javësh

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me qëndrimin e tij ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë brenda dy javësh. Ai tha se opsionet e tij përfshijnë vendosjen e sanksioneve masive, tarifave të reja, ose që Shtetet e Bashkuara të mos ndërhyjnë fare.

“Do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm. Ose do të jenë sanksione masive, tarifa masive, ose të dyja. Ose nuk do të bëj asgjë dhe do t’iu them: ‘Kjo është lufta e juaj’”, u shpreh Trump më 22 gusht në Zyrën Ovale.

Trump theksoi se dëshiron të shohë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojnë një takim. Sipas tij, ky takim do të përcaktojë qasjen amerikane ndaj konfliktit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar më herët se po punohet për një takim trepalësh mes tij, Putinit dhe Zelenskyt. Megjithatë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i mohoi këto plane, duke theksuar se “nuk ka agjendë për një samit të tillë”.

Nga ana tjetër, Zelensky akuzoi Moskën se po bën gjithçka për të pamundësuar një takim të drejtpërdrejtë mes tij dhe Putinit, ndërsa përsëriti se ky do të ishte “i vetmi rrugëtim drejt paqes”.

Trump foli gjithashtu për Kupën e Botës 2026, duke njoftuar se shorti i turneut do të mbahet në Uashington në dhjetor. Ai sugjeroi se Putini mund të marrë pjesë në ngjarje, megjithëse ekipet ruse janë të përjashtuara nga FIFA për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Presidenti amerikan reagoi edhe për një sulm rus ndaj një fabrike në pronësi amerikane në Ukrainë më 21 gusht, duke e quajtur të papranueshëm dhe duke shprehur pakënaqësinë e tij për incidentin ku u plagosën disa punëtorë.

Konflikti i nisur në shkurt të vitit 2022 vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, ndërsa Uashingtoni pritet të vendosë së shpejti nëse do të ndërhyjë me masa të reja kundër Rusisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button