Trump paralajmëron fjalim vendimtar për Ukrainën, afati për Putinin skadon sot

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të japë sot një deklaratë që mund të ketë ndikim të madh mbi rrjedhën e luftës në Ukrainë. Sipas zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, fjalimi është planifikuar për orën 14:00 në Uashington (ora 21:00 në Kosovë).
Koha e njoftimit ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi sot shënohet afati i fundit që Trump i kishte vendosur presidentit rus, Vladimir Putin, për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se autoritetet ruse ende nuk tregojnë gatishmëri për negociata të sinqerta. Ai tha se Ukraina është e gatshme për dialog, ndërsa Rusia vazhdon të investojë në luftë të mëtejshme. Si shembull ai përmendi vizitën e Putinit në Kinë për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku sipas Zelenskyt, Kremlini priret të shmangë bisedimet e drejtpërdrejta.
“Ukraina është sigurisht gati për këtë. Por e vetmja gjë që po bën Rusia është të investojë në luftë të mëtejshme. Të gjitha sinjalet e tyre tregojnë për këtë,” tha Zelensky. Ai shtoi se presioni ndërkombëtar ndaj Moskës duhet të vazhdojë, pasi ndërkohë që e gjithë bota kërkon fundin e luftës, Rusia e zgjat atë qëllimisht.
Më 21 gusht, Trump kishte vendosur një afat dyjavor për bisedimet midis Kievit dhe Moskës, duke paralajmëruar se pas përfundimit të tij do të “nevojitej ndoshta një qasje tjetër”. Ky paralajmërim erdhi pas një postimi në Truth Social, ku Trump publikoi dy fotografi: njëra me Putinin dhe tjetra me ish-zëvendëspresidentin amerikan Richard Nixon dhe udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, një veprim që është interpretuar si sinjal se Trump mund të tregojë një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës.
Fjalimi i sotëm i presidentit amerikan pritet të japë më shumë qartësi mbi pozicionin e SHBA-së në drejtim të paqes në Ukrainë.