Trump në Izrael: “Një agim historik për Lindjen e Mesme”

Presidenti amerikan, Donald Trump, përfundoi fjalimin e tij para Parlamentit izraelit, duke e përshkruar momentin si “një agim historik të një Lindjeje të Mesme të re”.
“Që nga dita e parë kur u krijua Izraeli modern, ne kemi qëndruar së bashku në kohë të vështira dhe në fitore e humbje”, tha Trump, duke theksuar gjithashtu se gjatë kësaj jave është arritur “e pamundura”, me kthimin e pengjeve në shtëpi.
Gjatë qëndrimit në Izrael, presidenti amerikan do të takohet me familjarët e pengjeve, para se të udhëtojë drejt Egjiptit për të marrë pjesë në një samit për paqen në Lindjen e Mesme, ku pritet të jenë të pranishëm 20 udhëheqës botërorë.
Para parlamentarëve izraelitë, Trump bëri thirrje që shtetet e rajonit të mos krijojnë armiqësi, por të punojnë së bashku për të sjellë “mundësi dhe prosperitet”. Ai shtoi se vendet e Lindjes së Mesme duhet të përqendrohen në ndërtimin e shkollave, investimin në shëndetësi, industri dhe inteligjencë artificiale, në vend që të krijojnë armë.
Duke folur për Iranin, Trump tha se edhe ndaj këtij vendi “dora e miqësisë dhe bashkëpunimit është e zgjatur”, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit në rajon.



