Trump: “Mundësi 50-50 për marrëveshje tregtare me BE-në”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ekziston një “mundësi 50-50” që Shtetet e Bashkuara të arrijnë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian.
Sipas asaj që raporton “The Guardian”, Trump i bëri këto komente para gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në aeroport, përpara nisjes drejt Skocisë, ku pritet të kalojë fundjavën.
Kjo deklaratë vjen në një moment tensionesh të shtuara tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, pas vendimit të administratës amerikane për të vendosur tarifa ndaj disa produkteve evropiane. Në shenjë kundërpërgjigjeje, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë masa të ngjashme.
Trump është treguar shpesh kritik ndaj marrëveshjeve tregtare ekzistuese, duke kërkuar kushte më të favorshme për ekonominë amerikane. Megjithatë, deklarata e tij e fundit lë të kuptohet se negociatat me Brukselin mbeten ende në një fazë të pasigurt.