Trump kundër përdorimit të Tylenol-it nga gratë shtatzëna, mjekët e kundërshtojnë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se mjekët në SHBA së shpejti do të këshillohen të mos përshkruajnë ilaçin kundër dhimbjeve Tylenol për gratë shtatzëna, duke përmendur një lidhje të diskutueshme mes përdorimit të tij dhe rrezikut për autizëm tek fëmijët. Trump tha se ky medikament duhet të përdoret vetëm për raste me temperaturë të lartë ekstreme.
Deklarata u bë në Zyrën Ovale, ku presidenti ishte i shoqëruar nga Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. Ky i fundit njoftoi se FDA do të rishikojë etiketimin e ilaçit dhe do të lëshojë udhëzime të reja për mjekët. Ai gjithashtu tha se agjencia do të aprovojë përdorimin e leucovorin-it për fëmijët me autizëm, pas studimeve të hershme që sugjerojnë përmirësim në komunikimin verbal.
Megjithatë, ekspertët mjekësorë e kundërshtuan këtë qëndrim. Steven Fleischman, president i Kolegjit Amerikan të Gjinekologëve-Obstetrëve, theksoi se nuk ka prova të forta shkencore që lidhin përdorimin e acetaminofeinit (paracetamolit) me probleme zhvillimore tek fëmijët. Ai dhe grupe të tjera mjekësore e cilësuan paracetamolin si ilaçin më të sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë.
Edhe kompania prodhuese e Tylenol-it, Kenvue, reagoi duke theksuar se shkenca nuk mbështet një lidhje të tillë mes acetaminofeinit dhe autizmit, ndërsa paralajmëroi për rrezikun e kufizimit të opsioneve të sigurta për trajtimin e dhimbjeve tek gratë shtatzëna.
Në gusht, një rishikim i kërkimeve i udhëhequr nga Universiteti i Harvardit sugjeroi se mund të ketë një lidhje mes ekspozimit ndaj Tylenol-it gjatë shtatzënisë dhe prirjes për çrregullime neurozhvillimore, por studiuesit theksuan se rezultatet janë të hershme dhe jo përfundimtare. Studime të tjera nuk kanë gjetur prova të qarta për lidhjen mes paracetamolit dhe autizmit, ADHD apo paaftësisë intelektuale.
Sipas CDC, diagnozat e autizmit janë rritur vitet e fundit, duke arritur në 2.77% të fëmijëve 8-vjeçarë në vitin 2020, një rritje që shkencëtarët e lidhin kryesisht me vetëdijen më të madhe dhe ndryshimin e definicionit të çrregullimit.



