Osmani për Fox News: Trump ndihmoi në parandalimin e konflikteve në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, ka deklaruar se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë i suksesshëm në parandalimin e konflikteve, duke përmendur edhe rastin e Kosovës.
Osmani theksoi se Ballkani ka qenë historikisht zonë e trazuar dhe se Serbia vazhdon të mbetet burim kërcënimesh për paqen në rajon. Ajo kujtoi aktin e agresionit serb në shtator të vitit 2023, si dhe përpjekjet e tensioneve në maj të këtij viti, të cilat sipas saj janë parandaluar falë mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe administratës amerikane.
“Ne kemi një fqinj që shpesh shkakton probleme. Serbia në të kaluarën ka sjellë shumë konflikte në Ballkanin Perëndimor, dhe ende ka liderë në Beograd që duan të na kthejnë në të kaluarën. Por Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në shpëtimin e jetëve”, tha Osmani.
Ajo shtoi se “parandalimi ka qenë çelësi” për të ruajtur stabilitetin, duke theksuar se lidershipi amerikan ka qenë vendimtar në mbajtjen e Kosovës dhe rajonit larg një lufte të re.
“Presidenti gjithmonë ka qenë një udhëheqës që flet me qartësi, forcë dhe bindje. Sot kur ai del në skenë në Kombet e Bashkuara, ne presim një mesazh të fuqishëm për paqe përmes forcës. Ky është mesazhi i vetëm që e kuptojnë autokratët dhe liderët e çmendur në botë. Falë kësaj qasjeje, fëmijët tanë sot mund të flenë pa frikë nga zhurma e armëve, ndryshe nga gjeneratat e kaluara që përjetuan luftëra”, u shpreh Osmani.
Ajo nënvizoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara ka qenë jetike për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.



