Tre persona ndalohen për falsifikim dokumentesh, dy nga autoshkolla “STOP” dhe një nga Kryqi i Kuq në Fushë Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë tre persona, të dyshuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas njoftimit zyrtar, dy nga të ndaluarit janë me inicialet A.F. dhe G.M. nga autoshkolla “STOP”, ndërsa i treti, me inicialet M.Th., është nga Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Fushë Kosovë. Ndërkohë, një e dyshuar tjetër me inicialet A.A., po ashtu nga Kryqi i Kuq në Fushë Kosovë, është liruar në procedurë të rregullt.
Ky veprim është pjesë e vazhdimit të një rasti të mëparshëm, kur ishte arrestuar një instruktor i autoshkollës dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me policinë, konkretisht me Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë. Personat e dyshuar ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, duke paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë.