James Rubin rrëfen në Hagë momentet e Rambouillet: Thaçi gati sa nuk qau para Madeleine Albright

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, dëshmoi në Gjykatën Speciale në Hagë për negociatat që SHBA-ja kishte me delegacionin e Kosovës për t’i dhënë fund luftës.
Rubin kujtoi takimin e njohur në Rambouillet, ku ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u gjend përballë Sekretares amerikane të Shtetit në atë kohë, Madeleine Albright. Diplomati amerikan tha se Thaçi pothuajse u përball me lot kur i refuzoi kërkesën për të nënshkruar marrëveshjen, e cila në thelb nuk garantonte pavarësinë e Kosovës.
“…kur i tha jo Madeleine Albright, sepse ai nuk ishte personi përgjegjës. Madje dukej që e kishte të vështirë kur e tha jo. Gati gati ishte në lot. Ai donte të sigurohej që Amerika ta respektonte, ta mbështeste, të kishim besim te ai. Shqiptarët donin të ishin të lirë, të sigurt. Ky ishte prioriteti i tij”, tha Rubin.
Diplomati amerikan shtoi se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të nënshkruar pa miratimin e komandantëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rubin theksoi se për Thaçin, më e rëndësishmja ishte që SHBA-ja të qëndronte pranë tij dhe Kosovës.