KryesoreLajme

Tragjedia në Burrel/ Vdes 29-vjeçari Ardit Beshiri, familjarët të braktisur nga shteti dhe kompania

E shtuna e 3 majit shënoi një ngjarje tragjike në Burrel. Fadromisti, 29-vjeçar, Ardit Beshiri, u zu poshtë nga një masiv dheu, teksa po punonte për hapjen e një rezervuari në fabrikën e përpunimit të kromit në Qafën e Burrelit.

Në rrethana ende të paqarta është çarë rezervuari, i cili përdorej për nevojat e kompanisë për pastrimin e mineraleve dhe për pasojë i riu është marrë përpara nga vërshimi i ujit dhe rërës së grumbulluar aty prej disa vitesh nga përpunimi i kromit.
Për shkak të sasisë së madhe të ujit, trupi dyshohet se mund të jetë zhvendosur katër apo pesë kilometra nga vendi i aksidentit. Mjafton të shihet zhvendosja e fadromës për të kuptuar fuqinë goditëse pas çarjes së digës së rezervuarit.

Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, policia arrestoi drejtuesin teknik të kompanisë, Ademir Lala, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Ndërsa vetë drejtuesit e kompanisë janë larguar pa adresë dhe nuk kanë bërë asgjë për t’i ardhur në ndihmë familjarëve të 29-vjeçarit. Por përveçse nga kompania private, familjarët duket se janë lënë vetëm edhe nga strukturat shtetërore.

Babai i të riut ka treguar për mediat se në dy ditët e para në vendngjarje kanë qenë të pranishëm vetëm disa ushtarë, të cilët kanë kërkuar në mes të gjithë atij masivi dheu me lopata dore. Pas 3 ditësh kërkime me mjete rrethanore dhe pasi i humbi të gjitha shpresat, babai i 29-vjeçarit, Nerim Beshiri, mes lotësh i bëri thirrje institucioneve për t’ju ardhur në ndihmë me mjetet e specializuara për të gjetur trupin e djalit të tij.

Vetëm pas fjalëve të tij dëshpëruese, shteti u kujtua dhe i erdhi në ndihmë me mjete të rënda, dy eskavatorë dhe disa pajisje me sensorë. Por që këto pajisje identifikonin vetëm materialet metalike dhe jo trupin e njeriut, ndaj për gjashtë ditë u gjetën vetëm disa mbetje të eskavatorit, me të cilin punonte Ardit Beshiri. Shtetit shqiptar i erdhën në ndihmë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës me dy qen të specializuar për kërkimin e kufomave, por as kjo metodë nuk funksionoi.

Pas shumë ditësh kërkime pa rezultat, për shkak të mungesës së pajisjeve, “Piranjat” u përballën me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ky i fundit u shpreh se është bërë maksimumi nga forcat shqiptare, por mungesën e rezultateve e justifikoi me faktin se terreni i vështirë e bënte thuajse të pamundur misionin. Por një ditë pas kësaj interviste, me punën e pandërprerë të gjithë forcave u gjet edhe trupi i pajetë i Ardit Beshirit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button