Tragjedi në Greqi: Tre shqiptarë humbin jetën në aksidentin në autostradën Egnatia

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së hënës në autostradën Egnatia të Greqisë, ku një kamion u përplas fillimisht me një tjetër kamion dhe më pas me dy automjete, duke shkaktuar një tragjedi me pasoja të rënda.
Nga përplasja humbën jetën tre shtetas shqiptarë: Viktor Bushi, Klarenc Kacaj dhe Marianka Bushi (Aliraj), ndërsa Magdalena Kacaj mbeti e plagosur.
Një dëshmitar i ngjarjes ka treguar momentet e tmerrit që përjetoi në vendin e aksidentit. “Dëgjonim tre personat duke u lutur që t’i nxirrnim jashtë. Thërrisnin ‘ndihmë, na shpëtoni’, por nuk mundëm t’i ndihmonim sepse ishin bllokuar. Njerëzit po digjeshin të gjallë para syve tanë”, tha ai për Euronews.al, duke përshkruar çastet kur flakët përfshinë automjetin.
Sipas dëshmitarëve, gjithçka ndodhi në pak sekonda. Pas përplasjes, një nga makinat mori flakë menjëherë, ndërsa shpërthimet e gomave dhe zjarri i fortë që vinte nga kamioni e bënë të pamundur ndërhyrjen për shpëtimin e viktimave.
Shqiptarët e ndjerë ishin banorë të Athinës dhe po ktheheshin nga një dasmë në qytetin Xanthi. Ngjarja tragjike ndodhi pasi kamioni i drejtuar nga një 59-vjeçar u përplas fillimisht me një tjetër kamion, në të cilin ndodheshin vajza e tij shtatzënë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, dhe më pas goditi automjetin ku ndodheshin viktimat shqiptare.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit, ndërsa komuniteti shqiptar në Athinë është tronditur thellë nga kjo tragjedi.