Tragjedi në Fier: 56-vjeçari humb jetën teksa riparon zetorin në oborrin e shtëpisë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Grecalli të Fierit, ku një 56-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike. Viktima, Agron Sukulli, sipas informacioneve paraprake, ishte duke kryer një riparim në zetorin e tij kur, për arsye ende të paqarta, mjeti është zhvendosur dhe rrota e ka zënë poshtë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 dhe është konstatuar nga një fqinj i viktimës, i cili ka dhënë menjëherë alarmin. Fatkeqësisht, 56-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vend.
Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur gjatë përpjekjes së viktimës për të riparuar një defekt teknik në mjetin bujqësor.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj tragjedie.