Kosova

MPJD e Kosovës reagon ashpër ndaj arrestimit të Behar Preniqit: Thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me, siç e cilëson, intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë.

Reagimi i MPJD-së vjen pas arrestimit të fundit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua një ditë më parë në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

Sipas njoftimit të MPJD-së, ky rast përbën një tjetër dëshmi të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ministria konfirmon se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, menjëherë pas kontaktit me familjen e Preniqit, është angazhuar përmes kanaleve zyrtare për të siguruar informacione të plota rreth arrestimit. Po ashtu, është adresuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe për të konfirmuar ndalimin dhe për të sqaruar arsyet ligjore të tij.

“Rasti është përcjellë edhe te delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it”, thuhet në deklaratë.

Në rast të vendosjes së masës së paraburgimit ndaj Preniqit dhe nisjes së një procedure penale, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës paralajmëron ndërmarrjen e hapave zyrtarë për të kërkuar vizitë në vendin ku ndodhet i ndaluar.

MPJD i ka rikujtuar qytetarët e Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

Në fund të reagimit, ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat, sipas saj, bien në kundërshtim me parimet e së Drejtës Ndërkombëtare dhe me konventat për të drejtat e njeriut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button