Kosova

Totaj paralajmëron ngufatje të Gjykatës së Apelit nga lëndët e kontratave kolektive – kërkohet plan veprimi deri më 15 shtator

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ka paralajmëruar se kjo gjykatë po përballet me një fluks të madh të lëndëve që burojnë nga kontratat kolektive, duke theksuar se në një fazë të caktuar, kjo do të çojë në ngufatje të gjykatës dhe rënie të efikasitetit.

Këto komente Totaj i bëri gjatë mbledhjes së 350-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku u shqyrtua raporti i jashtëzakonshëm për gjendjen në Gjykatën e Apelit.

“Ato lëndë kur kanë ardhë në gjykatën e shkallës së parë, normalisht që është ditë që kanë me përfundu në gjykatë të shkallës së dytë… dhe ka me ra efikasiteti sepse gjyqtarët nuk kanë me ditë a me trajtu lëndë nga kontratat kolektive apo lëndë sipas strategjive…”, deklaroi Totaj. Sipas tij, vetëm Divizioni Civil ka një rënie të efikasitetit prej 40%.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se raporti është hartuar mbi të dhëna nga Sistemi për Menaxhimin e Lëndëve dhe komunikimet me Gjykatën e Apelit. Ai shtoi se vetëm në periudhën janar-qershor 2025 është vërejtur një rritje e jashtëzakonshme e lëndëve në këtë gjykatë, veçanërisht në Divizionin Civil.

Drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi, bëri një përmbledhje të gjendjes së pozitave në Apel duke krahasuar të dhënat nga viti 2020 deri në korrik 2025. Sipas tij:

Në vitin 2020 ka pasur 48 pozita, ndërsa aktualisht janë 55 gjyqtarë aktivë dhe dy në Departamentin Special.

Ka një rritje prej 182% të bashkëpunëtorëve profesionalë krahasuar me vitin 2021.

Janë aprovuar shtatë pozita shtesë për bashkëpunëtorë, të cilët do të punojnë në Apel deri më 1 tetor 2025.

Sipas Maliqit, raporti përmban edhe rekomandime për optimizimin e burimeve njerëzore dhe rritjen e efikasitetit. Ndër to, kërkohet nga Gjykata e Apelit që deri më 15 shtator 2025 të dorëzojë një plan veprimi për organizimin e stafit, me fokus në përballimin e ngarkesës në Divizionin Civil.

Totaj theksoi se përkundër mbështetjes së stafit, raporti nuk përfaqëson realisht sfidat e gjykatës. Ai tha se ndërmjet viteve 2021-2025 ka pasur rritje prej 17% të stafit, por numri i lëndëve është rritur me 115%, duke krijuar një joproporcion të madh mes resurseve dhe nevojave.

Zogaj sqaroi se KGJK-ja ka siguruar 50 bashkëpunëtorë profesionalë nga Qeveria, nga të cilët 31 janë dërguar në Gjykatën e Apelit.

Në fund të mbledhjes, KGJK vendosi njëzëri që Gjykata e Apelit të prezantojë planin e veprimit për organizimin e stafit deri më 15 shtator 2025. Në mbledhje u shqyrtuan edhe çështje disiplinore me dyer të mbyllura.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button