Balje: Limaj më pyeti për pozitë, por unë kërkova vetëm të drejta për boshnjakët

Deputetja boshnjake, Duda Balje, ka deklaruar se është kontaktuar nga kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, për të biseduar rreth zhvillimeve politike, por thekson se nuk ka kërkuar asnjë pozitë personale.
Në një deklaratë për Indeksonline, Balje tha se nuk ka pasur komunikim me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa bisedat i ka zhvilluar vetëm me Limajn.
“Me Fatmirin kemi biseduar, por me Vetëvendosjen jo. Jam e sigurt që Vetëvendosje e di vendimin që e kam marrë. Fatmiri e ka kuptuar arsyetimin dhe vendimin tim”, theksoi ajo.
E pyetur konkretisht se çfarë kërkese i është bërë nga Limaj, Balje tha:
“Jo kurgjo, veç ka thënë a ka mundësi me bisedu, a do naj pozitë a najsen. Unë s’du pozitë, as kurgjo. Kërkesa ka qenë për boshnjakë.”
Deputetja theksoi se nuk ka interes për poste apo përfitime personale, duke potencuar se e vetmja kërkesë e saj ka të bëjë me interesin e komunitetit që përfaqëson.
“Unë nuk du as pare, as poste, nuk du me qenë as ministreshë. Send nuk du për veti, as për partinë nuk du kurgjo. Është kërkesë nacionale – për komunë boshnjake.”
Balje shtoi se nuk ka besim në kryeministrin Albin Kurti, andaj përjashton çdo mundësi bashkëpunimi me të:
“Unë nuk du me bashkëpunu me Albin Kurtin sepse nuk kam besim. S’mundësh me punu me dikan që s’ki besim. As Albini s’ka besim tek unë.”