Kuriozitete

Toka në Hënë mund të mbështesë jetën, sipas një studimi të ri: Zhvillohet teknologji për prodhimin e ujit dhe oksigjenit

Një studim i ri nga studiuesit e Universitetit Kinez të Hong Kongut ngre shpresat për mbështetjen e jetës në Hënë, përmes një teknologjie inovative që lejon nxjerrjen e ujit nga toka hënore dhe shndërrimin e dioksidit të karbonit në oksigjen dhe karburant kimik.

Sipas studimit të botuar në revistën Cell Press Joule, kjo teknologji përdor dritën e Diellit për të gjeneruar nxehtësi dhe për të mundësuar procesin, duke hapur potencialisht rrugë të reja për eksplorimin e hapësirës së thellë. Një nga përfitimet kryesore është zvogëlimi i kostove të mëdha për transportimin e burimeve jetike, si uji, në Hënë. Për ilustrim, një galon (3.78 litra) ujë kushton rreth 83,000 dollarë (71,230 euro) për t’u dërguar në Hënë me raketë, ndërsa një astronaut ka nevojë për rreth 15 litra ujë në ditë.

“Ne kurrë nuk e imagjinonim plotësisht ‘magjinë’ që përmban toka hënore,” deklaroi Lu Wang, autori kryesor i studimit.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se çdo strategji aktuale për nxjerrjen e ujit nga sipërfaqja hënore përfshin disa hapa të ndërlikuar që kërkojnë sasi të mëdha energjie. Po ashtu, studimi nuk e analizon plotësisht sasinë e CO2 që përdoret për të prodhuar oksigjen dhe karburant, duke lënë disa pikëpyetje mbi efikasitetin afatgjatë të teknologjisë.

Mjedisi ekstrem në Hënë, me luhatje të mëdha temperaturash, rrezatim të lartë dhe gravitet të ulët, mbetet një sfidë madhore për mbledhjen e oksigjenit dhe ujit në shkallë të gjerë. Për më tepër, sasia e dioksidit të karbonit e prodhuar nga frymëmarrja e astronautëve nuk është e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha nevojat për ujë, oksigjen dhe karburant të një ekuipazhi.

Pavarësisht sfidave, ky studim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një baze të qëndrueshme njerëzore në Hënë, duke shënuar një epokë të re për eksplorimin hapësinor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button