2 mijë pacientë në pritje për koronarografi në QKUK – pritjet zgjasin deri në një vit

Përkundër përmirësimeve të raportuara, Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdon të përballet me sfida serioze në përmbushjen e nevojave të pacientëve që kanë nevojë për koronarografi – një procedurë kyçe për diagnostikimin e sëmundjeve ishemike të zemrës.
Sipas drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatri, aktualisht rreth 2 mijë pacientë elektivë janë në listë të pritjes për këtë procedurë. Edhe pse numri ka shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me mbi 4 mijë e 600 raste të trashëguara, koha e pritjes mbetet alarmante – deri në një vit.
“Lista aktive e pacientëve që presin për koronarografi elektive është rreth 2 mijë raste. Kjo paraqet një rënie nga mbi 4600 raste sa kemi trashëguar në fillim të mandatit aktual. Aktualisht kemi përfunduar rastet e vitit 2023 dhe jemi duke trajtuar ato të regjistruara gjatë vitit 2024”, deklaroi Shatri për “Front Online”.
Ai sqaroi se pacientët urgjentë, të cilët paraqiten me infarkt akut apo gjendje kërcënuese për jetën, trajtohen menjëherë dhe nuk përfshihen në listën e pritjes.
“Për ta, procedura kryhet brenda ditës ose menjëherë pas stabilizimit klinik. Ndërsa pacientët elektivë, për të cilët ekzistojnë dyshime për sëmundje të zemrës, futen në listë pritjeje të menaxhuar në mënyrë të strukturuar”, shtoi Shatri.
Sfida strukturore dhe mungesë infrastrukture
Drejtori i Kardiologjisë theksoi se Klinika po përballet me rritje të kërkesës për procedura invazive, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së prevalencës së sëmundjeve kardiovaskulare. Për më tepër, ai nënvizoi se besimi në shërbimet e kësaj klinike është rritur ndjeshëm.
Një tjetër faktor që rëndon situatën është kapaciteti i kufizuar infrastrukturor, me vetëm dy salla funksionale që përdoren si për kardiologji invazive ashtu edhe për implantimin e pajisjeve elektrostimuluese.
Zgjidhja në horizont?
Për të përmirësuar situatën, ka nisur ndërtimi i një salle të dytë moderne për procedura invazive.
“Kjo sallë pritet të jetë funksionale deri në tetor të këtij viti dhe do të ndihmojë ndjeshëm në shkurtimin e kohës së pritjes dhe rritjen e efikasitetit të trajtimeve”, bëri të ditur Shatri.
Mungesa e stafit infermieror, një tjetër sfidë
Klinika gjithashtu përballet me mungesë të stafit infermieror, veçanërisht për mbulimin e dy qendrave aktive të trajtimit.
“Kemi ndërmarrë masa konkrete për riorganizimin e shërbimeve, menaxhimin aktiv të listave të pritjes dhe për rritjen e kapaciteteve ekzistuese”, përfundoi drejtori i Klinikës së Kardiologjisë.