Tiranë, mikpritëse e Samitit të Komunitetit Ekonomik Ndërkombëtar: Jared Kushner, Edi Rama dhe Emmanuel Macron ndër folësit kryesorë

Sot, më 17 maj, Tirana mirëpret një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike ndërkombëtare – samitin e Komunitetit Ekonomik Ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe”, i cili po zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Një ndër figurat më të spikatura në këtë edicion të samitit është Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri. Kushner do të mbajë fjalën e tij si CEO dhe themelues i kompanisë investuese “Affinity Partners”, mes orës 10:05 dhe 10:25, sipas axhendës zyrtare të samitit.
Pas tij, folës do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të cilët do të trajtojnë temat kyçe që lidhen me të ardhmen ekonomike të Evropës dhe më gjerë. Mes të ftuarve të profilit të lartë është edhe senatori italian dhe ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.
Samiti i sivjetshëm vjen si një edicion special që përqendrohet në tetë fusha strategjike për zhvillimin global: fragmentimi dhe gjeoekonomia, siguria dhe pavarësia energjetike, inteligjenca artificiale dhe robotika, kujdesi shëndetësor, industria e prodhimit, tregtia, turizmi dhe inovacioni në sipërmarrje.
Organizimi i këtij eventi në Tiranë shihet si një sinjal i qartë për rolin në rritje të Shqipërisë në skenën ekonomike dhe diplomatike ndërkombëtare.