Tirana mirëpret për herë të parë forumin prestigjioz ndërkombëtar FII PRIORITY Europe: Samir Mane përfaqëson Shqipërinë në panelin global të liderëve

Tirana u kthye në qendër të vëmendjes ndërkombëtare më 16–17 maj 2025, duke mirëpritur për herë të parë në historinë e saj forumin prestigjioz FII PRIORITY Europe, një samit global që mbledh personalitete të rëndësishme nga politika, ekonomia, shkenca, teknologjia dhe filantropia, për të diskutuar mbi prioritetet që formësojnë të ardhmen e njerëzimit.
Nën moton “Renditja e prioriteteve për një të ardhme më të qëndrueshme, më të drejtë dhe më të begatë”, edicioni evropian i FII PRIORITY solli në Tiranë liderë botërorë që ndanë vizionet e tyre për një botë më të bashkuar në kohë sfidash globale.
Shqipëria u përfaqësua zyrtarisht në panelet e diskutimit nga Samir Mane, President i BALFIN Group, i cili ishte i vetmi përfaqësues nga vendi në mesin e figurave më të njohura globale. Ai mori pjesë në panelin kryesor me temë: “Board of Changemakers: Can Capital Connect a Fractured World?”, duke ndarë skenën me emra të rëndësishëm si Matteo Renzi, ish-kryeministër i Italisë, Bernard Mensah, President i Bank of America International, dhe Henri Poupart-Lafarge, CEO i kompanisë Alstom.
Pjesëmarrja e z. Mane në këtë panel jo vetëm që nënvizon rolin e tij si një nga figurat kyçe të biznesit në rajon, por gjithashtu dëshmon për rëndësinë strategjike të Shqipërisë dhe Ballkanit në zhvillimet ekonomike dhe sociale të kontinentit.
Gjatë samitit, z. Mane zhvilloi takime dhe diskutime me personalitete të nivelit të lartë, duke kontribuar në ndërtimin e urave të reja bashkëpunimi dhe duke promovuar potencialin ekonomik të rajonit në një platformë globale.
FII PRIORITY Europe Summit është pjesë e një serie forumesh ndërkombëtare që synojnë të nxisin dialogun ndërsektorial dhe veprimet konkrete për përballimin e sfidave të kohës sonë, si ndryshimet klimatike, zhvillimi i qëndrueshëm dhe transformimi teknologjik.
Ky forum në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare dhe përforcon aspiratat e vendit për të luajtur një rol më të madh në çështjet globale.