Lajme

Përplasje dhe arrestim në KZAZ 30 në Tiranë gjatë numërimit të votave

Një përplasje mes vëzhguesit të PS, Rei Nozlli, dhe sekretarit të KZAZ nr. 30 nga PD, Remzi Memedi, ka përfunduar me arrestimin e Nozllit gjatë mesditës së sotme në KZAZ nr. 30 në Kashar, gjatë procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Rei Nozlli u arrestua me kërkesë të prokurorisë dhe u la në masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, parashikuar në nenin 329/3 të Kodit Penal.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, kur gjatë numërimit të votave, një numërues deklaroi të pavlefshme një votë, duke shkaktuar reagim nga Rei Nozlli dhe disa persona të tjerë që ndodheshin në ambient, të cilët nuk kishin status vëzhguesish politikë. Ata u shprehën me zë të lartë dhe me fjalë fyese kundër vendimit.

Sekretari i KZAZ-së, Remzi Memedi, i kërkoi grupit të qetësohej dhe paralajmëroi se do të mblidhte komisionin për të vlerësuar votën e kontestuar. Por, reagimi nuk u ndal dhe në momentin që u kërkua largimi nga ambienti i numërimit, Rei Nozlli kaloi shiritin e sigurisë dhe sulmoi fizikisht sekretarin Memedi, duke e goditur me grushta dhe shkelma.

Për shkak të përplasjeve, autoritetet arrestuan Nozllin si të dyshuar për kanosje dhe dhunë gjatë zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button