Tirana mikpritëse e mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s më 11 shtator

Tirana do të mirëpresë më 11 shtator mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, organi më i lartë drejtues i futbollit në Europë, duke shënuar për herë të parë një event të tillë në kryeqytetin shqiptar.
Ky takim ndërkombëtar do të jetë një moment historik për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për Shqipërinë në përgjithësi, duke vënë vendin tonë në qendër të vëmendjes së futbollit europian. Në këtë mbledhje pritet të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit në kontinent.
Agjenda dhe temat që do të diskutohen gjatë mbledhjes do të bëhen publike disa ditë përpara eventit, nëpërmjet komunikimeve zyrtare për mediat dhe opinionin publik.
Shqipëria tashmë ka qenë mikpritëse e aktiviteteve të ndryshme të UEFA-s, duke përfshirë takime të Komitetit HatTrick, mbledhjen e 11 federatave të Europës Juglindore, panelin Grassroots, si dhe sesione për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale dhe Komitetin e Medias së UEFA-s.
Ky event i nivelit të lartë vjen si dëshmi e besimit të UEFA-s në kapacitetet organizative dhe seriozitetin e federatës shqiptare, duke dhënë një impuls të fuqishëm zhvillimit të futbollit në vend.