Kosova
Kryesore

Prokuroria në Pejë ngrit aktakuzë për pesë persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare në procesin e patentave të shoferëve

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me procesin e marrjes së patentave të shoferëve.

Sipas aktakuzës, A.R., në cilësinë e ekzaminerit, dyshohet se ka ndihmuar disa kandidatë duke u treguar pyetjet e sakta gjatë testimit teorik për patentë shofer, duke i ndihmuar që ta kalojnë këtë fazë dhe të avancojnë në provimin praktik. Këto veprime janë kryer gjatë periudhës nga 18 korrik deri më 22 shtator 2022 në Pejë.

Po ashtu, L.G., asistent administrativ në njësinë për patentë shofer në Pejë, dyshohet se ka mundësuar që kandidatë që kanë rënë disa herë në testin teorik, të paraqiten përsëri në provim pa kryer fletëpagesën e nevojshme, duke përdorur fletëpagesa të provimeve të kaluara.

Ndërkaq, tre të tjerë, D.T., A.A. dhe F.T., të punësuar në një autoshkollë në Deçan, dyshohen se kanë plotësuar orët e praktikës në mënyrë të rreme për disa kandidatë, duke i regjistruar si të përfunduara edhe pse ata nuk kanë qenë në Kosovë gjatë atij periudhe, dhe kështu i kanë mundësuar këtyre kandidatëve që të paraqiten në provimin për patentë shofer.

Prokurori ka kërkuar dënimin e të pandehurve dhe gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike, si dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit apo detyrës.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se do të vazhdojë të luftojë korrupsionin dhe të ndjekë penalisht çdo rast të keqpërdorimit të pozitës zyrtare sipas ligjit në Republikën e Kosovës.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button