Lajme

Tirana drejt qiellit: Çmimet e apartamenteve luksoze kapin rekorde të reja

Tirana po përjeton një transformim të thellë urban, me një bum ndërtimesh që ka zhvendosur vëmendjen te zhvillimi i kullave shumëkatëshe. Zona si ish-Blloku, Komuna e Parisit, godina e ish-ATSH-së, kampusi i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe afërsia me Liqenin Artificial pritet të shndërrohen në kantierë të mëdhenj, ku do të ngrihen struktura deri në 40 kate.

Sipas agjencive imobiliare, në një nga projektet luksoze pranë Liqenit Artificial, çmimi i shitjes ka arritur në 10,000 euro për metër katror – një rekord absolut për tregun shqiptar. Këto apartamente janë të destinuara për një grup shumë të përzgjedhur blerësish, kryesisht investitorë të huaj dhe individë me fuqi të lartë ekonomike në tregun global.

Sipas zhvilluesve, apartamentet nuk konsiderohen më si thjesht njësi banimi, por si suita rezidenciale të standardeve më të larta: me arkitekturë moderne, materiale ndërtimi të klasit të parë, pamje panoramike, siguri maksimale dhe shërbime premium si brande hoteliere europiane, dyqane luksoze dhe ashensorë të dedikuar për emergjenca.

Rritje progresive e çmimeve

Tendenca e rritjes së çmimeve ka qenë progresive gjatë viteve të fundit. Te “Book Building” pranë Sahatit të Tiranës, apartamentet në vitet 2022-2023 u shitën duke nisur nga 5,000 euro për metër katror. Në zonën pranë Presidencës, çmimet varionin mes 4,000 dhe 4,800 euro për metër katror. Në “Rainbow Center” në ish-Bllok, arritën deri në 5,000 euro/m², ndërsa te “Eyes of Tirana”, në fazën e parë, çmimet kapën mbi 3,500 euro për rezidenca dhe deri në 8,000 euro për ambiente komerciale.

Në vitin 2025, një nga zonat më të shtrenjta mbetet rruga “Brigada” në ish-Bllok, me çmime që shkojnë deri në 5,000 euro për metër katror.

Krahasimi me kryeqytetet e Ballkanit

Në krahasim me kryeqytetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Tirana tashmë ka tejkaluar çmimet mesatare. Në Beograd, rekordi është 11,811 euro/m² për një pronë të vetme, ndërsa mesatarja e qendrës historike shkon në 3,941 euro/m². Në Kroaci, në rezidencat luksoze bregdetare, çmimet arrijnë deri në 8,000 euro/m², ndërsa në Malin e Zi, pas një rënieje të tregut rus, çmimet variojnë sot nga 5,000 deri në 7,000 euro për metër katror.

Ekspertët theksojnë se Shqipëria, ndryshe nga tendenca tradicionale e Ballkanit për çmime më të përballueshme, po përjeton një përjashtim në Tiranë për shkak të përqendrimit të lartë të kërkesës për projekte elitare.

A po largohet Tirana nga realiteti i tregut vendas?

Ekspertët e real estate-it paralajmërojnë se këto zhvillime të luksit të lartë mund ta largojnë më tej Tiranën nga realiteti i përballueshmërisë për popullatën vendase. Ndërsa ndërtimet luksoze po përqendrohen në qendër, kërkesa për strehim bazë po transferohet në zonat periferike, si Paskuqani dhe Shkoza, ku çmimet variojnë nga 900 deri në 1,400 euro për metër katror.

Brenda Unazës së Vogël, çmimet nuk bien më nën 2,000 euro për metër katror, dhe në shumë zona të verdha të ndërtimit ato kalojnë 1,500 euro/m².

Sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, çmimet e banesave u rritën me 23.6% në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, blerjet nga shtetas të huaj përbëjnë tashmë rreth 18% të tregut, shumica prej tyre nga vendet e Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, Tirana po transformohet gjithnjë e më shumë në një qytet elitash, ndërsa përballueshmëria për shtresat e mesme dhe të ulëta mbetet një sfidë serioze.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button