Tentativë për trafikim veprash arti në Portin e Durrësit, sekuestrohen 10 piktura me vlerë 25 mijë euro

Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka goditur një rast të tentativës për trafikim të veprave të artit, duke sekuestruar 10 piktura të padeklaruara me një vlerë të përllogaritur prej rreth 25 mijë euro.
Në njoftimin zyrtar, bëhet e ditur se gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë, është ndaluar për kontroll të imtësishëm një fugon që drejtohej nga shtetasi Kasem Qato, 37 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë verifikimeve, në mjetin e tij u gjetën 10 piktura për të cilat Qato nuk kishte asnjë dokument që të provonte origjinën apo pronësinë e tyre. Ai u arrestua në flagrancë.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, Q. H., 25 vjeç, nga Fieri dhe G. N., 53 vjeç, nga Durrësi, janë shpallur në kërkim, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë në këtë rast të trafikimit të veprave të artit.
Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.