Tension dhe kujtime nga 2014: “NZZ” e quan përballjen Serbi–Shqipëri “ndeshjen më shpërthyese të Evropës”

Ndeshja Serbi–Shqipëri, që luhet sonte në Leskovc, ka marrë vëmendjen e mediave evropiane për shkak të historisë së tensionuar mes dy kombëve. Mediumi zviceran “Neue Zürcher Zeitung (NZZ)” e ka cilësuar këtë përballje si “ndeshjen më shpërthyese të kualifikueseve për Kupën e Botës”.
Sipas NZZ, autoritetet serbe kanë marrë masa të rrepta sigurie: qindra policë, snajperë dhe ekspertë të dronëve do të monitorojnë ndeshjen, e cila zhvillohet në stadiumin e vogël të Leskovcit me vetëm 8.100 vende. Për të shmangur incidentet, tifozët shqiptarë nuk do të kenë qasje në stadium.
Gazeta kujton incidentin e famshëm të tetorit 2014, kur një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” shkaktoi përleshje në fushë dhe jashtë saj, duke tensionuar raportet mes dy vendeve dhe duke çuar në shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd.
NZZ thekson se konflikti rrënjësor mbetet Kosova, e cila u shpall e pavarur në vitin 2008, por ende nuk njihet nga Serbia. Tifozët e të dyja palëve shprehin hapur ndjenjat nacionaliste — serbët me simbolet e “Serbisë së Madhe”, ndërsa shqiptarët me referenca për UÇK-në dhe bashkimin kombëtar.
Mediumi zviceran përmend edhe rastin e Mirlind Dakut në Euro 2024, kur ai u pezullua për dy ndeshje pas brohoritjes “Poshtë Serbia”, si dhe incidentin e dhjetorit të po atij viti, kur tifozët serbë tentuan të digjnin një flamur shqiptar gjatë ndeshjes me Zvicrën.
Megjithatë, NZZ vëren se ndeshja e parë mes dy kombëtareve në qershor në Tiranë (0–0) kaloi pa incidente, falë masave të rrepta të federatave përkatëse.
UEFA, ndërkohë, e sheh bashkëorganizimin e Kampionatit Evropian U-21 të vitit 2027 nga Serbia dhe Shqipëria si mundësi për afrimin e dy vendeve. Por grupet nacionaliste në të dyja anët e kanë kundërshtuar ashpër këtë nismë.
Sipas NZZ, mënyra se si do të kalojë ndeshja e sotme do të jetë një tregues i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve sportive e politike mes Beogradit dhe Tiranës.



