Ted Blushi: Më 11 maj përmbysje spektakolare – zero taksa për biznesin e vogël dhe minimum jetik prej 200 euro

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Ted Blushi, në një takim me tregtarët në zonën e Selitës, ka theksuar se biznesi i vogël dhe profesionet e lira nuk duhet të taksohen, duke e argumentuar këtë me përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend.
“Varfëria është këmbëkryq në Shqipëri. Në një kohë kur qytetarët mezi përballojnë jetesën, taksimi i mëtejshëm i bizneseve të vogla është i padrejtë dhe i papranueshëm,” tha Blushi.
Ai shtoi se programi ekonomik i koalicionit PD-ASHM po mirëpritet nga qytetarët dhe do të sjellë një përmbysje të madhe më 11 maj.
“PAKETA E DHEMBSHURISË garanton minimum jetik prej 200 eurosh, rrogë mesatare 1200 euro, rritje pensionesh me 20% dhe ndihmë konkrete për çdo familje në nevojë. ZERO TAKSA për biznesin e vogël dhe profesionet e lira,” shkroi Blushi në një postim në Facebook.
Ai e mbylli me një thirrje për bashkim: “Zgjidhjet që ne ofrojmë për hallet e mëdha të qytetarëve dhe bizneseve priten kudo mirë. Më 11 Maj ndërtojmë së bashku SHQIPËRINË MADHËSHTORE!”
Në prag të zgjedhjeve, premtimet ekonomike të koalicionit PD-ASHM po zënë gjithnjë e më shumë vend në debatin publik, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si biznesi i vogël dhe shtresat në nevojë.