Gjykata Supreme refuzon ankesën e Vetëvendosjes për Hanin e Elezit

Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dega në Han të Elezit, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 17 tetor 2025.
PZAP kishte hedhur poshtë si të pas-afatshme ankesën e Vetëvendosjes, e cila kishte kërkuar që të urdhërohej hetim i librave origjinal të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, me arsyetimin se numri i lartë i rasteve të asistimit gjatë votimit përbënte shkelje të nenit 10 të Rregullores 12/2024 dhe të parimit të fshehtësisë së votës.
Gjithashtu, LVV kishte kërkuar që të përsëritej votimi në ato vendvotime ku shkeljet mund të verifikoheshin dhe ndikonin në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Por, pas shqyrtimit të pretendimeve dhe dokumenteve të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se ankesa e Vetëvendosjes është e pathemeltë.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, shqyrtimi në meritë i një ankese të paraqitur pas afatit ligjor do të cenonte sigurinë juridike dhe do të zgjaste pa nevojë procesin zgjedhor.



