Taravari: Albin Kurti, arkitekti i VLEN-it – Koalicioni rezultoi i dështuar dhe i paqëndrueshëm

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar detaje të reja mbi formimin dhe prapaskenat e koalicionit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, VLEN, duke theksuar rolin vendimtar të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për Euronews Albania, Taravari deklaroi hapur se ishte vetë Kurti që e bindi të bëhej pjesë e VLEN-it, madje e cilësoi atë si “arkitektin politik” të këtij bashkimi. “Patjetër që ka pasur ndikim. Unë e them shpesh se arkitekti politik i VLEN-it ka qenë zoti Kurti, dhe pa garancitë e tij nuk do ta kisha marrë vendimin të bashkohem me VLEN-in,” u shpreh ai.
Megjithatë, sipas Taravarit, eksperienca me VLEN-in nuk rezultoi pozitive. Ai e përshkroi koalicionin si disfunksional dhe pa qëndrueshmëri, duke theksuar se bashkëpunimi me partitë e tjera ishte letargjik dhe joefektiv.
“E kam thënë edhe publikisht, para se të largohem nga qeveria, si me kryeministrin Kurti, ashtu edhe me kryeministrin Misovski këtu në Maqedoni, pasi në koalicion ishim katër parti plus Vetëvendosja. Të gjitha vendimet duheshin të miratoheshin nga organet partiake dhe nga koalicioni që formuam,” tha Taravari.
Ai shtoi se në një moment të gjithë anëtarët e VLEN-it ranë dakord se mënyra e funksionimit të koalicionit nuk po sillte rezultate dhe vendosën që deri në zgjedhjet lokale të veprojnë të pavarur.
Duke folur për të ardhmen, Taravari nënvizoi se prioriteti i tij është ndërtimi i një rruge të qartë për Aleancën për Shqiptarët. “Nëse e vlerësojmë ecurinë deri në zgjedhjet lokale, mendoj se nuk kemi arritur shumë. Është më e arsyeshme që Aleanca për Shqiptarët të ndjekë një rrugë të qartë dhe të zhvillohet si një parti e pavarur që funksionon më vete,” përfundoi ai.