Kosova

Bajrami: Nëse ZRRE nuk e pezullon vendimin, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike. Ajo ka paralajmëruar se nëse ky vendim nuk pezullohet, ZRRE do të mbahet mend si “armiku më i madh i ekonomisë së vendit”.

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar tashmë vendimin e ZRRE-së që parashihte kalimin e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë, derisa të merret një vendim përfundimtar gjyqësor.

Sipas Bajramit, në rrezik janë mbi 140 mijë vende pune dhe një valë e re inflacioni që mund të prekë çdo produkt. Ajo tha se vendimi është i nxituar dhe i dëmshëm.

“E kemi thënë që në fillim: nuk ka treg të lirë funksional, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet. Bizneset e përjashtuara ende nuk i kanë faturat për muajin qershor,” u shpreh Bajrami.

Ajo shtoi se Prokuroria duhet të ndërhyjë pa mëshirë ndaj Bordit të ZRRE-së, duke i akuzuar ata se po punojnë për interesa private, ndonëse paguhen me para publike.

Deputetja parashtroi disa pyetje publike ndaj ZRRE-së:

  • Pse bizneset ende nuk i kanë faturat e muajit qershor?
  • Pse importi i energjisë në qershor u rrit me 800% krahasuar me majin?
  • Kush janë përfituesit e kësaj skeme?

“Emrat tashmë dihen,” theksoi ajo, duke përmendur kompaninë EFT të Vuk Hamoviqit dhe disa tregtarë të tjerë që, sipas saj, kanë përfituar padrejtësisht. Ajo paralajmëroi se së shpejti në këtë rreth do të hyjnë edhe kompani të licencuara së fundmi nga ZRRE që kanë lidhje me politikën.

“ZRRE po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze. Prokuroria, o sot, o kurrë!”, përfundoi deklaratën e saj Bajrami.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button