Takim Kurti–Limaj këtë fundjavë, Nisma optimiste për një epilog pozitiv

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pritet të takohen këtë fundjavë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, konfirmoi se takimi do të mbahet gjatë kësaj fundjave, megjithëse ende nuk është caktuar nëse do të zhvillohet të shtunën apo të dielën. Ajo shprehu optimizëm për rezultatet e këtij takimi.
“Java e ardhshme ndoshta ka me na dalë me një rezultat pozitiv edhe më frytëdhënës. Po dua të shpresoj edhe po besoj që do të buzëqeshim si vend dhe do ta shohim vendin me institucione”, deklaroi Izmaku në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
E pyetur nëse Nisma mund të bëhet pjesë e qeverisë, duke tejkaluar qëndrimin e mëhershëm për të kërkuar vetëm postin e kryetarit të Kuvendit, Izmaku tha se këto çështje do të diskutohen gjatë takimit mes dy liderëve.
“Mendoj që janë detaje që kanë me qenë në tavolinën e bisedimeve mes dy liderëve dhe në këtë fazë ndoshta nuk është mirë të ngrisim tema që ka kohë për t’i diskutuar”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, deklaroi të martën se është i gatshëm të bisedojë me Kurtin, të cilit iu referua si “kryeministër”, për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale.
“Do të bisedoj me kryeministrin për të ardhur deri te një moment i zgjidhjes së situatës. Natyrisht t’i shohim mundësitë çka varet nga ai dhe çka varet nga ne që të tejkalohet kjo krizë”, tha Limaj.
Ai theksoi se “njerëzit duhet të flasin, duhet të marrin përgjegjësi” dhe se Nisma mbetet e hapur për bashkëpunim.
“Është partia e parë që ka marrë shumicën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës”, përfundoi Limaj.