Kosova

Adil Behramaj kërkon reagim qytetar ndaj Gjykatës Speciale: “Statuset nuk mjaftojnë më!”

Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kërkuar reagim të fuqishëm qytetar kundër asaj që e cilëson si padrejtësi të Gjykatës Speciale. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka kritikuar ashpër heshtjen kolektive dhe ka thënë se tashmë është e qartë se drejtësia nuk po vjen nga kjo gjykatë.

“Drejtësia tashmë po dihet se nuk është në Gjykatën Speciale. Por as padrejtësitë që vijnë prej saj, më nuk duhet të shikohen sikur të ishin një ‘reality shoë’. Sepse atje historia po rishkruhet edhe me ndihmën e secilit që është duke heshtur,” ka shkruar Behramaj.

Ai e konsideron hezitimin për të reaguar si një dorëzim të heshtur dhe të rrezikshëm për të ardhmen dhe të vërtetën historike të Kosovës. Sipas tij, heshtja është një formë burgosjeje për ata që kontribuuan për lirinë dhe shtetndërtimin e vendit.

“Patriotizmi i rrjeteve sociale nuk mjafton. As statuset nuk mjaftojnë. Ka ardhur koha që kalkulantët politikë t’i lëmë nëpër zyra dhe të dalim nga kjo mpirje kolektive. Ka ardhur koha për reagim qytetar, për zë e veprim kundër kësaj padrejtësie!”, ka theksuar ai.

Deklarata e Behramajt vjen në kohën kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po vazhdon mes polemikash dhe reagimesh të shumta nga opinioni publik në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button