Tafani: Synohet njollosja e Shqipërisë dhe UÇK-së përmes akuzave të Hagës

Politologu Endri Tafani ka deklaruar se Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë po synojnë jo vetëm njollosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por edhe të Shqipërisë, përmes akuzave të lidhura me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku u diskutua rreth seancave të fundit gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Tafani u shpreh se pretendimet për trafik organesh janë të pabazuara.
“Shqipëria në vitin 1998 ishte në një rrëmujë të madhe, sapo kishte kaluar luftën civile të vitit 1997 dhe vrasjen e Azem Hajdarit. Në atë kohë as që mund të mendohej për klinika të specializuara për trafik organesh. Është një mashtrim i sajuar,” tha Tafani.
Sipas tij, akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” janë produkt i inskenimeve politike, të cilat synojnë të dëmtojnë luftën e UÇK-së dhe imazhin e Kosovës. Ai kujtoi se edhe raporti i senatorit zviceran Dick Marty është pjesë e këtij inskenimi.
“Po të shohësh, sot në Kosovë ka filluar një hedhje balte ndaj UÇK-së, madje edhe nga ata që janë pjesë e Vetëvendosjes, për arsye elektorale. Kjo fushatë vazhdon edhe sot. Akuzat për Shqipërinë janë pjesë e së njëjtës lojë për të njollosur luftën e Kosovës,” theksoi politologu.



