Stuhi e fuqishme shiu dhe breshëri përmbyt rrugën drejt Brezovicës, ndërpritet qarkullimi

Një stuhi e fuqishme shiu e shoqëruar me breshër ka goditur sot pasdite zonën e Brezovicës, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në rrugën kryesore që të çon drejt këtij destinacioni të njohur turistik malor në Kosovë.
Siç dëshmojnë videot e publikuara nga mediat lokale në Shtërpcë, reshjet intensive kanë mbushur rrugën me ujë, duke bërë të pamundur kalimin e automjeteve në këtë segment. Qarkullimi rrugor është ndërprerë përkohësisht, ndërsa autoritetet janë duke monitoruar situatën në terren.
Radio Borzani raporton se përmbytjet kanë krijuar vështirësi në lëvizje, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se stuhitë me shi dhe breshër pritet të vazhdojnë dhe në pjesë të tjera të Kosovës, me rrezik për vërshime.
Banorët dhe turistët këshillohen të shmangin zonat e përmbytura dhe të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes, duke ndjekur njoftimet e institucioneve përgjegjëse.