Ambasada e Kosovës dhe Presidentja Osmani dënojnë thirrjet antishqiptare në Kumanovë: Kërkohet ndëshkim për autorët

Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare të dëgjuara gjatë një ndeshjeje basketbolli të zhvilluar në fundjavë në qytetin e Kumanovës, ku të pranishëm ishin edhe krerët e shtetit maqedonas.
Në reagimin e ambasadës theksohet se “thirrjet raciste dhe anti-shqiptare nga tifo grupet janë të shpeshta nëpër stadiume” dhe se “këto qëndrime cenojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike dhe vlerat demokratike”. Ambasada dënoi në termat më të fuqishëm incidentin dhe shprehu shqetësimin për mungesën fillestare të reagimit nga autoritetet maqedonase.
Megjithatë, reagimi i mëvonshëm i kryeministrit maqedonas, Hristjan Mickoski, u përshëndet nga ambasada, e cila gjithashtu vlerësoi qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe aktivizimin e prokurorisë në këtë çështje.
“Urojmë që autorët të përballen me pasojat juridike dhe të vendoset një standard i ndëshkueshmërisë për raste të tilla”, thuhet në deklaratë.
Një reagim edhe më i ashpër ka ardhur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se thirrjet antishqiptare “cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”. Ajo shprehu shqetësim të veçantë për faktin se zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë edhe kryeministrin Mickoski, nuk reaguan menjëherë ndaj kësaj gjuhe të urrejtjes.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, theksoi Osmani.
Ngjarja ka nxitur debat të gjerë në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndërhyrje më të forta institucionale ndaj manifestimeve të urrejtjes etnike në sport dhe jo vetëm.