Studim: Sjelljet kërcënuese të prindërve ndikojnë në shfaqjen e ankthit tek fëmijët

Rrugëtimi i zhvillimit të fëmijëve është i paparashikueshëm, por aspektet psikologjike dhe metodat edukative luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e tyre mendor. Shumë ndodhi gjatë fëmijërisë reflektohen më vonë në shëndetin mendor të individëve në moshë adulte, ku ndikimi i prindërve dhe i rrethit social është vendimtar për stabilitetin psikologjik.
Sipas një studimi të publikuar në Journal of Clinical Psychology, përdorimi i sjelljeve kërcënuese në edukimin e fëmijëve rezulton të ketë pasoja serioze. Studimi, i cili përfshiu 900 studentë të moshës 18-24 vjeç, tregoi se sjelljet kërcënuese të prindërve – veçanërisht ato nga nëna – ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e ndjenjës së pafuqisë dhe ankthit tek fëmijët.
Hulumtuesit theksojnë se këto sjellje çojnë në formimin e perceptimit të pamjaftueshmërisë dhe paaftësisë personale. Edhe pse fëmijëria nuk është faktori i vetëm në zhvillimin e çrregullimeve psikologjike – pasi ndikon edhe gjenetika dhe përjetimet në jetën adulte – ajo mbetet një periudhë thelbësore për formimin e mirëqenies mendore.
Ekspertët apeluan për ndërgjegjësim të prindërve dhe aplikimin e metodave pozitive të edukimit, duke shmangur qasjet kërcënuese që dëmtojnë zhvillimin emocional të fëmijëve.