Rriten përfituesit nga skema e pensioneve, por shpenzimet në raport me PBB-në bien

Numri i personave që përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, megjithatë shpenzimet buxhetore për pensionet si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) kanë shënuar rënie pas vitit pandemik 2020.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në vitin 2024 shpenzimet për skemën publike të pensioneve zbritën në 7.4% të PBB-së, një nivel i ngjashëm me atë të vitit 2023 dhe më i ulëti që nga viti 2014. Kjo ndodhi pavarësisht se numri i përfituesve në skemë u rrit me 20% nga viti 2014 deri në 2023.
Në fillim të tranzicionit, shpenzimet për pensionet përbënin rreth 4.8% të PBB-së, ndërsa në fillim të viteve 2000 arritën në 6%. Pas vitit 2010, u regjistrua një rritje graduale, duke kulmuar në vitin 2020 me 8.1%, për shkak të pandemisë që rriti nevojën për mbështetje sociale. Pas kësaj periudhe, pesha e pensioneve në PBB ka zbritur lehtësisht në nivelet aktuale.
Megjithëse Shqipëria ka ruajtur një trend relativisht të qëndrueshëm, shpenzimet për pensionet mbeten më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, shpenzojnë mbi 10% të PBB-së për pagesat e pensioneve.
Në rajon, trendet janë drejt rritjes së përfitimeve: Kosova rriti pensionet me 20% këtë vit; Mali i Zi vendosi një minimum prej 450 eurosh në muaj për çdo pension; Bosnje-Hercegovina zbatoi një indeksim me 4.49%; Maqedonia e Veriut ndryshoi formulën e indeksimit për të mbështetur pensionet më të ulëta; ndërsa Serbia po aplikon një “pension të 13-të” për të ruajtur fuqinë blerëse të të moshuarve.
Në Shqipëri, indeksimi i fundit i pensioneve ishte 4.1% në tetor 2024, ndërsa këtë vit qeveria ka shpërndarë një bonus të njëhershëm në masën 25% të pensionit mesatar.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse qëndrueshmëria fiskale është një avantazh, përfitimet e ulëta sociale përballen me sfidën e një tregu pune që po tkurret nga emigracioni dhe plakja e popullsisë.