Spitalet rajonale në krizë, Qeveria ndan miliona për studentët pesë ditë para zgjedhjeve

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt, shtretërit janë të mbushur dhe pacientët presin me orë për një ekzaminim që shpesh nuk mund të kryhet aty. Vetëm 35 kilometra më larg, në Prishtinë, Qeveria në detyrë ndan 26 milionë euro për studentët – vendim që vjen pesë ditë para zgjedhjeve lokale.
Për disa, kjo ndihmë është e mirëpritur, por për kritikët ajo është dëshmi se fondet shpërndahen sipas interesave elektorale, e jo sipas nevojave më urgjente.
“Vërtet nuk është e kuptueshme që një qeveri, në prag të zgjedhjeve, të shpërndajë mjete pa bërë një analizë apo llogaritje të saktë të ndikimit të tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP.
Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj, një nga shtatë spitalet rajonale të Kosovës, përballet me mungesë hapësirash, pajisjesh dhe stafi. “Në repartin e internës i kemi 15 shtretër dhe janë plot, nuk mund të pranojmë raste të reja”, thotë drejtori Fikret Arifi.
Përveç mungesës së shtretërve, spitali nuk ka hematologë, ndërsa numri i radiologëve është i kufizuar. Si pasojë, shumë pacientë detyrohen të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Edhe Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës përballet me probleme të ngjashme. Drejtori i tij, Gëzim Berisha, thotë se mungon rezonanca magnetike dhe staf specialist. “Në raste aksidentesh të rënda, duhet t’i dërgojmë pacientët në Prishtinë, sepse nuk kemi kirurg torakal”, shprehet ai.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm në vitin 2023 vendin e lanë 167 mjekë, ndërsa në pesë vitet e fundit mbi 650 profesionistë shëndetësorë janë larguar për shkak të kushteve të vështira të punës dhe pagave të ulëta.
Në raportin e Zyrës së Auditorit Kombëtar thuhet se pritjet për shërbime të caktuara në QKUK zgjasin deri në tre vjet.
Ndërkohë, Qeveria në detyrë më 7 tetor vendosi të ndajë 20 milionë euro për mbështetje të studentëve në bazë të distancës nga vendbanimi në universitet, dhe 6 milionë euro të tjera për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët.
Ish-opozita e ka cilësuar vendimin si “blerje votash”, por kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qëllimi është t’i ndihmojë studentët dhe familjet e tyre përballë kostove të jetesës.
Sipas analistit Hasaj, megjithëse ndihma për studentët mund të jetë e dobishme, ndarjet buxhetore duhet të synojnë zgjidhje të qëndrueshme: “Për shembull, mbulimi i pushimit të lehonisë nga shteti do të kishte ndikim të dukshëm në strukturën e punësimit dhe mirëqenien shoqërore.”



