Kosova

Kriza buxhetore në prag: Qeveria në detyrë nuk ka mandat për ta miratuar buxhetin e vitit 2026, rrezikohen pagat e qytetarëve

31 tetori është afati i fundit ligjor kur Qeveria e Kosovës duhet ta aprovojë projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Megjithatë, për shkak se vendi ndodhet me një qeveri në detyrë, njohës të çështjeve ligjore paralajmërojnë se ajo nuk ka mandat të plotë për ta përgatitur dhe miratuar këtë dokument të rëndësishëm financiar.

Ministria e Financave ka njoftuar se është në fazën përfundimtare të përgatitjes së projektbuxhetit dhe synon ta aprovojë brenda afateve ligjore, por sipas hulumtuesit të Institutit Kosovar për Drejtësi, Naim Jakaj, kjo do të krijonte një precedent të paprecedentë në vend.

“Do të hyjmë në një situatë të re që nuk e kemi parë më herët, sepse nuk kemi pasur një qeveri jo legjitime para se të aprovohet ligji për buxhetin. Nëse nesër konstituohet Kuvendi dhe vjen qeveria e re, sërish nuk do të arrijë ta aprovojë brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, buxheti do të duhet të kalojë me procedurë të përshpejtuar, gjë që do të ndikojë negativisht në ndarjet buxhetore, veçanërisht për komunat,” tha Jakaj, duke përmendur edhe një vendim të Gjykatës Supreme që ndalon ministrat me mandat deputeti të marrin vendime.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri, paralajmëron pasoja të rënda nëse buxheti nuk miratohet deri në fund të vitit.
“Vlerësohet të jenë rreth 80 mijë punonjës që marrin paga direkt nga shteti, por ka edhe institucione të tjera që varen nga buxheti. Në këtë rast, gjysma e qytetarëve rrezikojnë të mbesin pa paga dhe vendi pa projekte kapitale që janë shumë të domosdoshme për Kosovën,” theksoi Beqiri.

Sipas Bankës Botërore, pasiguritë politike dhe mungesa e institucioneve të qëndrueshme kanë ndikuar që të parashikohet një rënie e zhvillimit ekonomik në Kosovë — nga mbi 4 për qind në vitin 2024, në vetëm 3.5 për qind për vitet 2025 dhe 2026.

“Pavarësisht statistikave të bukura që paraqiten, qytetarët e dinë realitetin sepse po ballafaqohen çdo ditë me çmime të larta dhe biznese të dëmtuara. Mosmiratimi i buxhetit do të shkaktojë një krizë më të thellë ekonomike, që do të dekurajojë edhe investitorët e huaj potencial,” shtoi Beqiri.

Ndërkohë, pasojat e krizës ekonomike po ndihen gjithnjë e më shumë në shoqëri. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, nga Kosova janë larguar rreth 210 mijë qytetarë, ndërsa çdo vit vendin e lënë rreth 40 mijë persona në kërkim të një jete më të mirë jashtë. Ekspertët vlerësojnë se ky trend po e zbraz vendin dhe po dëmton seriozisht fuqinë punëtore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button