Specialja në Hagë vazhdon procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, këtë javë pritet dëshmia e dy dëshmitarëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Seanca e radhës është përqendruar në paraqitjen e provave të mbrojtjes përmes dëshmitarëve. Specialja ka njoftuar se këtë javë pritet që dy dëshmitarë të japin dëshmitë e tyre në sallën e gjyqit.
Gjatë dy javëve të fundit kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja, mes tyre edhe John Duncan, ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe, i cili dëshmoi kryesisht në seancë publike.
Ndërkohë, më 18 shtator, Trupi Gjykues vendosi vazhdimin e paraburgimit për Veselin, Selimin dhe Krasniqin, duke argumentuar se ende ekzistojnë rreziqe që të akuzuarit mund të pengojnë procesin ose të kryejnë vepra të tjera penale. Gjykata theksoi se lirimi i tyre nuk do të siguronte mbrojtje efektive për dëshmitarët që kanë dëshmuar ose ata që pritet të dëshmojnë në të ardhmen.
Në rastin e Rexhep Selimit, Trupi Gjykues rikujtoi se ai dyshohet të ketë nxjerrë informacion konfidencial te palë të paautorizuara, gjë që e përforcon bindjen e gjykatës se ekziston rreziku i pengimit të procesit.
Gjykata argumentoi se këto rreziqe mund të zvogëlohen vetëm përmes monitorimit të komunikimeve në paraburgim. Edhe pse pranoi se të akuzuarit po qëndrojnë në paraburgim prej një kohe të gjatë, Trupi Gjykues e konsideroi të arsyeshëm vazhdimin e tij, duke marrë parasysh akuzat për krime të rënda ndërkombëtare dhe mundësinë e dënimeve të gjata me burg nëse shpallen fajtorë.



