Kushtetuesja pezullon formimin e Qeverisë: vendimi pritet të sqarohet për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur më 5 shtator një masë të përkohshme, duke ndaluar zhvillimin e procedurave për formimin e qeverisë së re. Shkak u bë mënyra e votimit ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë, e cila u cilësua si e dyshimtë për shkelje kushtetuese.
Lista Serbe kishte paraqitur ankesë ndaj veprimit të kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, i cili shpalli organin ligjvënës të konstituuar pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Kushtetuesja tha se vendimi u mor për të evituar “rreziqe ose dëme të pariparueshme” dhe do të jetë në fuqi deri në shpalljen e aktgjykimit.
Ekspertët e së drejtës kushtetuese parashohin që Gjykata do të konstatojë shkelje vetëm në ndarjen e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e deritanishme kërkon zgjedhjen e tyre në pako. “Gjykata nuk do të merret me çështje politike, si përzgjedhja e emrit nga komuniteti serb. Ajo ka vetëm rolin të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe procedurave”, u shpreh për Radion Evropa e Lirë profesori Zahir Çerkini.
Të njëjtin qëndrim ndan edhe Ehat Miftaraj nga IKD, i cili kujton se sipas aktgjykimeve të mëparshme, Kushtetuesja mund të urdhërojë rikthimin e votimit në paketë për dy nënkryetarët e komuniteteve joshumicë.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pret që Kushtetuesja ta konfirmojë Kuvendin si të konstituuar. “Kryetari i Kuvendit ka respektuar procedurat kushtetuese dhe rregulloren. Zgjedhja e Emilija Rexhepit si nënkryetare është legjitime dhe nuk mund t’i mohohet grupit multietnik kjo e drejtë”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Në votimin e zhvilluar, asnjëri nga kandidatët e propozuar nga komuniteti serb nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 votash. Lista Serbe këmbënguli vetëm në kandidaturën e Slavko Simiqit, e cila u refuzua tri herë, ndërsa emrat tjerë po ashtu nuk morën mbështetje të mjaftueshme. Pas kësaj, kryetari Basha shpalli mbylljen e seancës konstituive.
Çerkini beson se Gjykata do të udhëzojë që procedura të vazhdojë aty ku ka mbetur, duke shfrytëzuar ditët e mbetura nga afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.



