Sot mbahet seanca dëgjimore për zyrtarët e arrestuar në Agjencinë e Kadastrës dhe Arkivave

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot po mbahet seanca dëgjimore ndaj katër të dyshuarve të arrestuar gjatë aksionit të së mërkurës në Agjencinë Kadastrale dhe atë të Arkivave të Kosovës.
Në këtë seancë pritet të vendoset për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve, të cilët lidhen me rastin e avokatit Venhar Hana, i arrestuar më 11 qershor për mashtrim dhe falsifikim.
Për zhvillimet rreth këtij aksioni ka folur edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë një aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e Arkivave dhe atë Kadastral, për shkak të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shala.
Ky aksion është vazhdim i hetimeve që lidhen me aktivitetet e paligjshme në institucionet shtetërore, ndërsa priten masa të mëtejme nga organet e drejtësisë.