Kosova
Kryesore

Moslëshimi i faturave të energjisë për bizneset ngjall dyshime për manipulim – Reagon ekonomisti Kushtrim Ajvazi

Ekonomisti Kushtrim Ajvazi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mosshpërndarjen e faturave të energjisë për muajin qershor për bizneset në tregun e ashtuquajtur “të lirë”. Ai ka theksuar se, edhe pse kanë kaluar tashmë 18 ditë nga përfundimi i muajit, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende nuk ka lëshuar asnjë faturë për këtë kategori.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ajvazi ka shprehur dyshimin se ky vonim mund të jetë i qëllimshëm dhe i koordinuar me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me qëllim të fshehjes së dëmeve që, sipas tij, po u shkaktohen bizneseve përmes një procesi të paligjshëm.

“Vetë mos-lëshimi i faturës është një indikator i qartë i manipulimit me prova”, ka shkruar Ajvazi, duke paralajmëruar se vonesa në shpërndarjen e faturave po shihet si tentativë për të shmangur transparencën, veçanërisht në rastet që mund të përfundojnë në Gjykatën Komerciale. Ai shton se mungesa e faturave mund ta vështirësojë procesin e provimit të dëmit në gjykata.

Ajvazi ka bërë thirrje që ky veprim të mos jetë një përpjekje për të mbuluar pasojat financiare të rënduara mbi bizneset, duke e cilësuar si një situatë të papranueshme për një sektor që pritet të funksionojë mbi bazën e ligjshmërisë dhe transparencës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button