Kosova

Sondazh i IRI: Shumica e qytetarëve besojnë se Kosova po shkon në drejtim të gabuar

Shumica e qytetarëve të Kosovës e shohin vendin në një trajektore të gabuar, ndërsa kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe korrupsioni vazhdojnë të perceptohen si problemet kryesore. Këto janë gjetjet e sondazhit rajonal për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i realizuar mes 13 majit dhe 25 qershorit 2025.

Sipas të dhënave, 56% e të anketuarve në Kosovë besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar, duke treguar një përkeqësim krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimet dhe papunësia në krye të listës

Në pyetjen mbi problemin më të madh me të cilin përballet vendi, qytetarët dhanë këtë renditje:

Kostoja e jetesës/çmimet e larta – 45%

Papunësia – 19%

Korrupsioni – 6%

Këto gjetje lidhen drejtpërdrejt me presionin ekonomik të përditshëm dhe rënien e fuqisë blerëse, pasi inflacioni gjatë vitit 2025 është rikthyer në rritje, duke ndikuar ndjeshëm buxhetin familjar.

Korrupsioni, sfidë e vazhdueshme

Edhe pse vetëm 6% e qytetarëve e shohin si problemin kryesor, korrupsioni mbetet një prej sfidave më të mëdha të vendit. Pas tij, qytetarët rendisin situatën politike (5%), emigrimin (3%), ekonominë në përgjithësi (3%) dhe kujdesin shëndetësor (3%). Probleme të tjera si pasiguria, kriminaliteti, qasja në kredi dhe mundësitë për biznese të vogla përmenden nga 2% e të anketuarve, ndërsa çështje si konfliktet e jashtme, varfëria dhe arsimi mbeten në nivelin prej 1%.

Sondazhi në Kosovë u krye me një kampion prej 1,164 të rriturish, përmes intervistave ballë për ballë në ekonomi familjare, me një marzh gabimi prej ±3.3 pikë përqindje.

Ky rezultat pasqyron rritjen e pakënaqësisë qytetare dhe thekson presionin ekonomik e institucional që ndihen gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button