
Shijak/ Fllakë në një kohë kur vendi përgatitet për sezonin turistik, rruga që lidh zonën e Fllakës me plazhin vijon të jetë e mbuluar nga mbeturinat, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga banorët, situata vetëm përkeqësohet. Mbetjet urbane dhe inerte janë bërë pjesë e përditshme e kësaj rruge, duke e shndërruar në një problem serioz për mjedisin dhe shëndetin publik.
Shijaku, një bashki që aktualisht drejtohet nga Partia Socialiste me kryetar Elton Arbani, duket se ka dështuar të marrë masa minimale për pastrimin e rrugëve. Kjo neglizhencë ka ngritur shqetësim mes qytetarëve të cilët ndihen të braktisur nga pushteti vendor.
“Ne i kemi bërë me dije problemet, kemi bërë kërkesa dhe ankesa, por askush nuk reagon. Këtu nuk pastrohet asnjëherë,” shprehet një banor i zonës.
Ndërkohë, mungesa e veprimit nga ana e bashkisë rrezikon jo vetëm jetën e përditshme të banorëve, por edhe imazhin e zonës si një destinacion turistik. Aktivistë të mjedisit paralajmërojnë për pasoja të rënda nëse situata nuk përmirësohet.
A do të reagojë më në fund bashkia e drejtuar nga PS, apo kjo rrugë do të vazhdojë të jetë simbol i neglizhencës dhe premtimeve të pambajtura? /Bekim D. Olluri – Blic.al