Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte Kostiq e Miloviq

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, është shtyrë pasi pala mbrojtëse kërkoi vonimin e saj. Arsye për këtë, sipas mbrojtjes, ishte se përkthimi në serbisht i deklaratës së dëshmitarit, që pritej të dëgjohej sot, u pranua vetëm disa minuta para fillimit të seancës, raporton Ekonomia Online.
Avokati i mbrojtjes, Predrag Milkoviq, deklaroi se në këto rrethana nuk kishte kushte për të vazhduar procesin.
“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet,” tha ai.
Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të zhvillohet, në mënyrë që të mos vonohet procesi gjyqësor.
“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave teknike, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër nga pala tjetër,” theksoi ajo.
Megjithatë, kjo kërkesë u kundërshtua nga avokati Milkoviq, i cili e konsideroi të paarsyeshme dëgjimin e dëshmitarit në këtë fazë të procesit.
“Konsideroj që nuk është e udhës që ta dëgjojmë këtë dëshmitar. I kam marrë të gjitha shkresat dhe procesverbalet. Kjo deklaratë është dhënë ditën e ngritjes së aktakuzës, dhe po e kundërshtojmë dëgjimin e dëshmitarit sot,” tha ai.
Pas diskutimeve, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, vendosi që seanca të shtyhet.
“Vlerësojmë që sot nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor dhe i jepet kohë që të lexohet deklarata,” tha Shala.
Sot ishte planifikuar të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.
Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se, si pjesëtarë të policisë serbe, në bashkëkryerje me forca të tjera ushtarake dhe paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.



