Kosova

Partitë politike shpenzuan gati 4 milionë euro për fushatën e zgjedhjeve të 9 shkurtit

Gati katër milionë euro u shpenzuan nga 28 subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), vetëm pesë partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës/Nisma dhe Lista Serbe – kanë shpenzuar rreth 3.6 milionë euro.

Ligji parasheh që partitë t’i dorëzojnë raportet financiare brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve. Ndërkohë, më 12 tetor u mbajtën edhe zgjedhjet lokale, për të cilat të dhënat financiare do të publikohen më vonë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, pesë partitë kryesore kishin shpenzuar rreth 1.3 milionë euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se shumat reale të shpenzuara mund të jenë dukshëm më të larta sesa ato të raportuara, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence.

“Partitë politike në Kosovë vazhdojnë të jenë jotransparente në raportimin e mjeteve të shpenzuara gjatë fushatave zgjedhore. Është absurde që në disa raporte të partive të mëdha, të hyrat e deklaruara të jenë më të ulëta se shpenzimet,” tha për Radion Evropa e Lirë, Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL.

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 16 gushti 2024 deri më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar mbi 1.1 milion euro të hyra, PDK-ja 559 mijë euro, LDK-ja 94 mijë euro dhe AAK-ja 18 mijë euro.

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, e sheh raportimin financiar si hap pozitiv, por dyshon në saktësinë e të dhënave. Ai vlerëson se kostoja e fushatave është rritur ndjeshëm për shkak të përdorimit të rrjeteve sociale dhe marketingut politik.

Ligji në fuqi lejon që subjektet politike të shpenzojnë deri në mbi dy milionë euro gjatë një fushate, ose jo më pak se një euro për çdo votues të regjistruar – dyfish më shumë krahasuar me kufirin e mëparshëm prej 0.50 centësh.

Partitë financohen nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët privatë. Megjithatë, sipas Demollit, donacionet nga kompani publike shpesh mbeten të padeklaruara dhe më pas “shpërblehen përmes tenderëve të ndryshëm”.

Ramosaj shton se donacionet e biznesit rrallë janë “dhurata”, por investime që pritet të kthehen në favore politike apo ekonomike.

Sipas rregullores së KQZ-së, personat fizikë mund të dhurojnë deri në 2.000 euro, ndërsa subjektet juridike deri në 10.000 euro për një fushatë. Shumica e donatorëve, sipas të dhënave të fundit, janë individë.

Përveç shpenzimeve të partive, edhe vetë organizimi i zgjedhjeve ka kushtuar shtetit mbi 15.4 milionë euro nga buxheti i vitit 2025, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit.

Ndërkohë, edhe më shumë se tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, institucionet e reja të Kosovës mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve politike, teksa në horizont po përmendet mundësia e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button