Shqipëria pret për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s

Shqipëria do të bëhet nesër skena e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qeverisjes së futbollit europian, me mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila zhvillohet për herë të parë në vendin tonë.
Nga sot deri të premten, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) po mikprit drejtuesit më të lartë të federatave europiane, përfshirë Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili mbërriti pasditen e sotme në aeroportin e Rinasit dhe u prit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Programi i nesërm nis në orën 09:00 në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë me një festival futbolli për fëmijë, pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”. Ceremoninë hapëse do ta nderojnë me praninë e tyre Presidenti Čeferin dhe Presidenti Duka.
Në fokus të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv janë vendimet për vendet pritëse të finaleve të UEFA Champions League 2027, UEFA Women’s Champions League 2027, UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027 dhe UEFA Women’s Futsal EURO 2027.
Gjithashtu, në rend dite do të diskutohen shpërblimet për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025, miratimi i rregulloreve të Kampionatit Europian të Futsalit për vajza dhe rregulloret e fazës kualifikuese për Kupën e Botës FIFA Futsal 2028.
Ky është një moment historik për futbollin shqiptar, duke dëshmuar rritjen e vendit tonë në skenën e sportit europian.