
Shqipëria po përjeton një cikël të rrezikshëm boshatisjeje demografike. Pavarësisht se popullsia e re është në rënie të shpejtë, ritmet e emigracionit të të rinjve janë në rritje, duke prodhuar një efekt të dyfishtë negativ në tregun e punës, prodhimin dhe sistemin ekonomik të vendit.
Tkurrja e popullsisë së re
Në vitin 2011, numri i të rinjve në grupmoshën 0-29 vjeç ishte rreth 1.365.000 persona, por në vitin 2024 ky numër ra në 764.000, me një tkurrje dramatike prej 44%. Ky trend paralel me emigracionin në rritje, ka thelluar sfidat demografike dhe ekonomike.
Emigracioni në rritje alarmante
Sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, emigracioni neto nga viti 2015 deri në 2020 ishte mesatarisht -16 mijë persona në vit, ndërsa pas pandemisë, ky tregues është përkeqësuar, duke arritur mesatarisht -34.500 në vit nga viti 2020 deri në 2025. Vetëm në vitin 2023, emigracioni neto negativ arriti në -43.700 persona.
Në dy vitet e fundit (2022–2023), janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për shqiptarët në vendet e BE-së, ku 80% e të larguarve janë të moshës 18–34 vjeç.
Ikin profesionistët më të mirë
Sot nuk emigrojnë më vetëm të papunët. Po ikin studentët më të mirë, mjekë, IT-istë dhe zanatçinj të kualifikuar. Eksperti Ilir Gëdeshi thekson se nëse nuk merren masa të menjëhershme me politika gjithëpërfshirëse për të frenuar largimet dhe për të nxitur kthimet, Shqipëria përballet me kriza afatgjata të forcës punëtore, produktivitetit dhe sistemit të pensioneve.
Efektet ekonomike: Mungesë pune, rritje çmimesh
Rënia e forcës aktive të punës ka shkaktuar mungesë të punonjësve pothuajse në të gjitha sektorët: bujqësi, ndërtim, turizëm, shërbime dhe tregti. Bizneset raportojnë vështirësi në rekrutim, edhe për pozita me paga të larta, për shkak të mungesës së kandidatëve.
Më shumë se 53% e të punësuarve në bujqësi janë mbi moshën 50 vjeç, ndërsa të rinjtë nuk e trashëgojnë më punën në tokë.
Kjo ka çuar në ulje të sipërfaqeve të mbjella, sidomos në fruta-perime, dhe rritje të varësisë nga importet ushqimore. Sipas INSTAT, deficiti tregtar në ushqime është rritur me 23% që prej 2020-s, ndërsa çmimet kanë kapërcyer mesataren e BE-së.
Në vitin 2024, Shqipëria u rendit për herë të parë mbi mesataren e BE-së për çmimet e ushqimeve (102.4%), ndërkohë që në 2023 ishte në 89.8%, dhe në 2014 vetëm 66.8%.
Krahas kësaj, PBB për frymë mbetet vetëm 35% e mesatares së BE-së, ndërsa shqiptarët shpenzojnë 39.7% të buxhetit për ushqime, kundrejt 13% në BE.
Kriza në bujqësi dhe falimentimi i fermave
Sektori i bujqësisë po bie në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm në vitin 2024, prodhimi bujqësor ra me 1.1%, ndërsa në 2023 kishte rënë me 1.8%. Fermat e vogla familjare po zhduken për shkak të plakjes dhe zbrazjes së fshatrave, sidomos në sektorin e blegtorisë, ku numri i kafshëve për mish dhe qumësht është përgjysmuar.
Sot, shumica e prodhimeve bujqësore në vend vijnë nga serra për eksport, ndërsa familjet fshatare janë kthyer nga prodhues në konsumatorë, duke nxitur më tej rritjen e importeve.
A ka zgjidhje?
Ekspertët paralajmërojnë se rrënimi demografik dhe zbrazja e vendit janë sfida të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Zgjidhjet kërkojnë politika të menjëhershme dhe afatgjata që përfshijnë:
Nxitje për kthimin e emigrantëve;
Rritje të investimeve në arsim profesional dhe sektorë prodhues;
Subvencione për bujqësinë dhe ndihmë direkte për fermerët;
Stabilizim politik dhe besim institucional që të ndalet zbrazja e vendit.
Nëse këto politika nuk ndërmerren në kohë, Shqipëria rrezikon të futet në një spiralë të pakthyeshme të rënies, ku mungesa e njerëzve do të shndërrohet në mungesë ekonomie.