Oficeri i FSK-së, Qendrim Imeraj, diplomon me sukses të lartë në SHBA

Toger Qendrim Imeraj nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin Bazë për Oficerët e Këmbësorisë në Shkollën e Këmbësorisë “Manoeuvre Center of Excellence” në Fort Benning, Georgia, SHBA.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka njoftuar se Toger Imeraj është shpallur “Distinguished Honor Graduate” – një nga vlerësimet më të larta që jepen për studentët më të dalluar në këtë kurs.
“Toger Imeraj për shkak të rezultateve të larta të treguara gjatë trajnimit u dekorua si student i dalluar me çmimin ‘Distinguished Honor Graduate’. Ky çmim ndahet për studentët që arrijnë rezultate të larta në të gjithë komponentët e kursit”, ka deklaruar ministri Maqedonci.
Ai ka shtuar se ky sukses reflekton jo vetëm përkushtimin personal të togerit Imeraj, por edhe profesionalizmin dhe cilësinë e lartë të oficerëve të FSK-së, të cilët po arrijnë suksese të dukshme edhe në arenën ndërkombëtare.