Shqipëria përfiton 99.3 milionë euro nga Komisioni Evropian, Kosova mbetet pa fonde për shkak të krizës institucionale

Komisioni Evropian ka miratuar dje pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në kuadër të Paketës së Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Këto janë pagesat e dyta për vendet e rajonit, pas atyre të parafinancimit të realizuara më herët.
Shqipëria kësaj radhe do të përfitojë një shumë prej 99.3 milionë eurosh, që do të përdoret për mbështetjen e reformave dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërkohë, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten të vetmet vende të rajonit që nuk kanë përfituar ende mjete nga kjo paketë. Bosnja nuk e ka të miratuar Planin e Rritjes dhe agjendën e reformave, ndërsa Kosova – ndonëse ka plotësuar kushtet teknike dhe formale që prej vjeshtës së kaluar – nuk mund të përfitojë për shkak të mungesës së institucioneve funksionale. Marrëveshjet formale me BE-në kërkojnë miratim me 2/3 në Kuvendin e Kosovës, çka aktualisht nuk është e mundur.
Komisioni Evropian ka theksuar se kjo paketë ka rëndësi të madhe për rajonin, pasi synon të nxisë reformat, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Gjithashtu është bërë e ditur se mjetet e pashfrytëzuara nga ndonjë vend do të ridrejtohen drejt atyre që i përmbushin kushtet në kohë.



