Qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare drejt Tiranës për protestën “Drejtësi për çlirimtarët”

Kolona të shumta veturash me flamuj kuqezi dhe me mbishkrimin “UÇK” janë parë sot duke udhëtuar nga Kosova drejt Shqipërisë, për t’u bashkuar në protestën e madhe që do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare pritet të bashkohen në këtë tubim me moton “Drejtësi për çlirimtarët”, në shenjë përkrahjeje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ndërkohë, nga Kosova drejt Hagës janë nisur edhe rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të vendit, të veshur me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër”. Nga Haga, marshi i tyre do të vazhdojë drejt Brukselit.
Përkrahje për protestën kanë dhënë politikanë të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa rreth 60 autobusë me qytetarë nga Kosova pritet të mbërrijnë sot në Tiranë.
Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se “Rruga e Kombit” do të jetë pa pagesë gjatë ditës së sotme, më 17 tetor, në shenjë solidarizimi me këtë protestë.
Kujtojmë se protesta të ngjashme në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur më herët edhe në Prishtinë dhe në Hagë.



